Sejdiu: Përpjekjet për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, hipotetike

11/04/2018 13:49

Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur në Kosovë, Dardan Sejdiu e quan hipotetike përpjekjen për rrëzimin e qeverisë, me arsyetimin se deri tani nuk ka asgjë zyrtare, as nga LDK-ja, e as nga ndonjë forcë tjetër politike për një nismë të tillë.

“Gjithçka po thoni ju është hipotetike, asgjë s’ka ndodhur. S’ka asnjë… Jo, ata po flasin publikisht, por nuk kemi asnjë lëvizje sa i përket ndonjë nisme që të na sigurojë se po bëjmë një hap para sa i përket diskutimeve për qeverinë dhe të ardhmen. Në fakt, konteksti i krijuar në Kosovë pas arrestimit të Gjuriçit është kontekst, i cili vjen si pasojë e kërcënimit të Listës Serbe për dorëheqje nga Qeveria, pra një qeveri pakice”, tha Dardan Sejdiu.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se do të nisin procedurat për “rrëzimin” e ekzekutivit të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Para largimit të Listës Serbe, koalicioni qeverisës kishte 62 vota në Parlament, ndërsa tani ka mbetur me 52 deputetë, nga 120 që janë gjithsej. Për Haradinajn, krahut opozitar i nevojitet ndihma e ndonjë subjekti në pushtet që vendi të shkojë në zgjedhje, e vullneti për këtë në radhët e koalicionit qeverisës mungon.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti u shpreh i çuditur nga kjo deklaratë, e kujtoi se në kushte normale qeveritarët do të duhej të kishin dalë përpara Kuvendit e të jepnin dorëheqjen.

Top Channel