E kanë quajtur koncertin “Një këngë për jeten”, sepse kanë një motivacion të përbashkët: secili prej tyre do të këndojë një këngë për fëmijët e sëmurë.

Janë disa nga emrat më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar: motrat Libohova, Sabri Fejzullahu, Eli Fara, Aurela Gace, Mirush Kabashi e Bujar Asqeriu, të cilët do të performojnë nesër në mbrëmje në Sheshin “Skënderbej”

“Jemi bërë bashkë një grup të rinjsh nga e gjithë Shqipëria për jetën e katër fëmijëve. Kemi zgjedhur katër fëmijë që kanë mundësi dhe nuk janë drejt fatalitetit, por që me ndihmën tonë ata mund të kenë një shans për të jetuar. Hyrja do të jetë me biletë për çdokush që e ndien veten se mund të japë diçka nga vetja. Nganjëherë nuk është e nevojshme të japësh shumë, por shumë pak mund të kthehet në shume për këta fëmijë”, thotë Osman Stafa, organizator.

Janë 4 fëmijë të sëmurë me tumor dhe leucemi, të cilët presin që jeta e tyre të ndryshojë falë këtij koncerti.

“Asnjë nga artistët nuk paguhet. Ky është një koncert bamirësie. Të gjitha të ardhurat që do të merren nga koncerti do të shkojnë vetëm për këta fëmijë. Disa nga artistët kanë lënë madje edhe angazhimet e tyre të planifikuara. Qëllimi i tyre në fund është jeta”, shton organizatori Stafa.

Top Channel