Nata kaloi, e bashkë me të edhe frika. Francesco Cigarini, mekaniku i Ferrarit që u godit nga Raikkonen gjatë atij “pit stop”-i fatkeq të Çmimit të Madh të Bahreinit, në të cilin pësoi fraktura në të dyja kockat e këmbës, poshtë gjurit, është operuar në një spital të Manamas dhe është shfaqur i buzëqeshur në një foto të publikuar prej tij në “Instagram”.

“Operacioni kaloi me sukses. Dua të falënderoj të gjithë personat që u interesuan dhe u shqetësuan për mua. Nuk kam fjalë tjetër veçse një faleminderim të madh. Ju përqafoj”. Ky është mesazhi shoqërues, në italisht e anglisht, me synimin për të qetësuar të gjithë.

Një foto lehtësuese që qetëson disi situatën pas atyre momenteve të tmerrshme tensioni të përjetuara në pistën e “Sakhir”-it gjatë xhiros së 36 të garës. Por çfarë ndodhi një ditë më parë?

Finlandezi Raikkonen u fut në bokse për ndalimin e dytë dhe u nis, sipas tij pasi iu dha sinjali për t’u nisur, por në atë moment goma e pasme e majtë nuk ishte zëvendësuar ende, ndaj dhe goditi me rrotën e pasme mekanikun Francesco Cigarini.

Gara nuk kishte më kuptim, atij iu kërkua të ndalej menjëherë pas pak metrash të përshkruara, ndërsa në bokse u alarmuan për frakturën në këmbën e majtë të mekanikut, që u dërgua menjëherë në qendrën mjekësore e më pas në spitalin e Manamas. Solidariteti me të nuk mungoi. Në spital shkuan Marchionne dhe Arrivabeve, dy nga drejtuesit më të lartë të “kokëkuqes” italiane.

Për këtë incident, Ferrari është gjobitur me 50 mijë euro, për shkak të “dritës jeshile” në rrethana të pasigurta që iu dha njëvendëshes së drejtuar nga Kimi, ndërsa skuderia nga Maranello do të duhet të përgjigjet edhe përpara Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) mbi atë çfarë ndodhi, për të cilën u hap një hetim nga komisarët teknikë të garës.

As fituesi i garës së Bahreinit, Sebastian Vettel nuk kishte sesi të mos i dedikonte një mesazh mekanikut të skuderisë. “Fitorja e ardhur në këtë mënyrë në Bahrein ka një shije speciale – është shprehur gjermani 4 herë kampion i botës. – Por, jemi ende duke vuajtur për Francescon, që u dëmtua në momentin e ndërrimit të gomave. Shpresojmë që të rikuperohet sa më shpejt. Gjithçka tjetër është dytësore”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel