Si ta kthesh pabarazinë gjinore për pagat në një padrejtësi të së shkuarës?

06/04/2018 10:52

Të martën tjetër, më 10 Prill, do të lexojmë prapë për hendekun gjinor në lidhje me pagat, se si gratë paguhen 80.5 cent për të njëjtën punë në të cilën burrat paguhen 1 dollar, (sipas Institutit të Kërkimeve për Politika ndaj Grave).

10 Prilli do të jetë Dita e Barazisë Gjinore në Paga; ditë që i kujton botës se gratë duhet të punojnë 15 muaj që të marrin atë që u jepet burrave në 12 muaj. Do të na kujtohet e vërteta e trishtë që midis femrave latino-amerikane ky hendek është më i thellë (54 cent për 1 dollar), ashtu si dhe mes femrave afro-amerikane (63 cent për dollar). Do të diskutojmë se si hendeku gjinor mbi pagën ekziston në çdo sektor, që nga dyqanet e pakicës, ku punëtorët paguhen me orë pune, e deri te profesione si avokatët që kanë kontrata ortakërie. Do të ankohemi sërish se si, me këtë hap, kjo gjendje do të vazhdojë për 100 vite të tjera.

Kjo, vetëm nëse nuk bëjmë diçka. Ligjvënësit, punëdhënësit dhe punëtorët kanë rolin e tyre në betejën për pagë të barabartë. Ekzistojnë zgjidhje praktike dhe konkrete që mund të përdoren nga të gjithë për të arritur barazi.

E vërteta është që hendeku është matematikë, jo mitologji. Është diçka që ka shumë rëndësi çdo herë që gratë marrin rrogën dhe me të paguajnë më pak fatura se burrat; e ndihmojnë familjen më pak dhe kursejnë më pak për moshë pensioni. Ka shumë rëndësi për vajzat dhe mbesat tona, të cilat rriten me më pak mundësi se burrat. Ka rëndësi për komunitetet e ndryshme në të gjithë vendin, ku gratë kontribuojnë më pak në vendimmarrje dhe në taksa. Ka rëndësi për punëdhënësit, meqë mbyllja e hendekut gjinor në paga është në dobi të bizneseve dhe organizatave, pasi krijon një mjedis pune më të shëndetshëm ku të gjithë kanë mundësi të barabarta për sukses.

Ka rëndësi edhe për ekonominë. Të dhënat e Institutit të Kërkimeve për Politika ndaj Grave tregojnë se ekonomia e SHBA-ve do të rritej me 510 miliardë dollarë nëse gratë marrin pagë të barabartë. Një studim nga McKinsey tregoi se deri në vitin 2025, ekonomisë botërore mund t’i jenë shtuar 12 trilionë dollarë nëse përdoren praktika me barazi gjinore për pagën.

Hendeku gjinor ka rëndësi për të gjithë dhe duhet të jetë përparësi kryesore në çdo komunitet, në të gjithë vendin. Them se ka ardhur koha të punojmë bashkë që t’i japim fund një herë e mirë.

Shoqata Amerikane e Grave Universitare, me 170,000 anëtarë e mbështetës në të 50 shtetet dhe territoret e Amerikës, ka caktuar një qëllim: ta mbyllim hendekun gjinor tani!

Dhe ne kemi një plan. Këtë nuk e bën një veprim i vetëm. Duhet të bashkojmë të gjitha pjesët bashkë, pa të sjellim ndryshimin.

Së pari, na duhen ligje të forta federale dhe shtetërore për barazi gjinore në pagë.

Kanë kaluar 50 vite që kur u miratua Ligji i Pagës së Barabartë në vitin 1963, që ndalon diskriminimin nëpërmjet pagës për shkak të gjinisë, racës, fesë dhe origjinës. Sado që këto ligje ndihmuan të bëjmë përparime, tani kanë nevojë për një përditësim të shekullit të 21-të.

Me pak fjalë, kohët kanë ndryshuar ndaj duhet të ndryshojnë edhe ligjet. Shumë shtete po ndërmarrin masa të reja. Në vitin 2017, 42 shtete miratuan ligje për t’iu adresuar barazisë gjinore në pagë. Strategjitë e tyre fillonin që nga heqja e historikut të rrogës e deri në marrjen e masave që punonjësit të shohin listën e rrogave, që të dinë nëse po paguhen padrejtësisht. Pesë shtete dhe Puerto Riko arritën t’i miratojnë ligjet. Këtë vit, pas një monitorimi të brendshëm të Shoqatës Amerikane të Grave Universitare, rezultoi se 38 shtete janë duke marrë në konsideratë ligje për barazinë e pagës, ndërkohë që në Uashington u miratua një ligj i ri muajin e shkuar.

Së dyti, duhet të ndryshojmë praktikat e punëdhënësve e të rrëzojmë pengesat që hasin gratë. Numri i shtuar i punëdhënësve që njohin pagën e barabartë dhe bonuse më të mira, sjell përfitime jo vetëm për të punësuarit, por edhe për biznesin dhe fitimet e tyre neto. Biznese dhe organizata si Salesforce, Delta, LUNA dhe Starbucks po marrin masa duke bërë kontrolle për pagesat e duke ndaluar përdorimin e historikut të pagës, të cilat i ndihmojnë punëdhënësit të ruajnë paga më të ulëta.

Së treti, duhet të mbështesim gratë që të bëhen avokate të vetes. Shoqata Amerikane e Grave Universitare ka nisur një angazhim të ri për trajnimin e 10 milionë grave, që të mësojnë si të negociojnë të ardhmen e tyre financiare deri në vitin 2022. Nëpërmjet programit “Puno me Zgjuarsi” ne u japim grave aftësitë që u duhen për të kuptuar vlerën e tyre në treg (bazuar në përvojën dhe arritjet e tyre) si dhe u japim mjetet dhe vetëbesimin që të negociojnë.

Në zyrat tona të trajnimit kemi parë që kur gratë negociojnë, kjo mund të rezultojë në të ardhura më të mira për veten dhe familjet e tyre. Ndonëse me diskriminimin nuk negociohet, kjo përpjekje do të ndihmojë që ndryshimi të vijë më shpejt dhe lëvizjet për barazi në pagë të zgjerohen më shumë.

Ne u bëjmë thirrje kryebashkiakëve dhe guvernatorëve në të gjithë vendin që të bashkohen me ne. Falë kryesive në Boston, Uashingon D.C, Tempe, San Francisko, Long Beach dhe Commonwealth of Massachusetts, kemi pasur mundësi të kemi një fillim të mbarë. Duke nisur që me kryebashkiakun Marti Uolsh në Boston, të gjithë po bashkëpunojnë për të krijuar zyra për negocimin e rrogës, të cilat ndihmojnë gratë në çdo nivel karriere. Mariana, për shembull. Një nënë 40-vjeçare me dy fëmijë, e punësuar në një kompani mediatike jo-fitimprurëse, negocioi që t’i rritet rroga me 22,000 dollarë në vit pasi zbuloi se paguhej më pak se kolegët meshkuj që bënin të njëjtën punë.

Në çdo shtet e në çdo qytet, ne mund ta ndryshojmë bashkë paradigmën duke bërë të miratohen ligje të forta për barazinë gjinore në pagë, dhe duke angazhuar punonjës e punëdhënës në luftën për barazi.

Kimberly Churches, CNN

Top Channel