Policia franceze nisi një hetim për të gjetur 4 vepra arti që janë zhdukur nga muret e Asamblesë Kombëtare, apo Parlamentit, në Paris.

Zhdukja e objekteve në fjalë u zbulua në fund të vitit të shkuar, pas inventarit të kryer nga agjencia shtetërore përgjegjëse për ruajtjen e veprave të artit dhe mobiljeve në ndërtesat publike.

Zyra e presidentit të Asamblesë Kombëtare konfirmoi zhdukjen e veprave të artit, që gjendeshin në zyra të ndryshme në ndërtesë, e shtoi se kërkimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asgjë në dritë.

Sigurisht, nuk bëhet fjalë për vepra milionere, por sidoqoftë ato kanë një faturë financiare dhe konsiderohen pjesë e trashëgimisë kulturore vendase. Për më tepër, zhdukja e tyre nga Parlamenti nuk është aspak një publicitet i mirë, sidomos nëse konsiderohet se ky fenomen nuk është i ri në Francë.

Rreth 430 mijë vepra arti janë të ekspozuara në ndërtesa publike franceze, si ministri, ambasada, bashki e të tjera, brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2016, në një raport të një komisioni hetimor shkruhej se, të paktën 22.800 prej tyre janë zhdukur, përfshirë një stoli të vjetër druri me gjithë jastëkë nga Parlamenti.

Në Ambasadën franceze në Guinea janë zhdukur sixhade të vjetra, ndërsa nga Versaja, një shtrat i shekullit të XIX, sende që në tregun e zi mund të shiten për shifra jo të vogla. Mediet i kanë akuzuar shpesh autoritetet se nuk e ruajnë siç duhet thesarin kombëtar artistik dhe historik, pasi një tryezë e Luigjit të XVI, që duhej të ishte në Ministrinë e Arsimit, u shfaq në një dyqan për shitje dhe askush nuk kishte raportuar zhdukjen e saj.

Top Channel