Një sanitare është shkarkuar nga puna për bindjet politike! Ngjarja ka ndodhur në Skrapar, ku zonja Lavdie ka punuar për 12 vite në shkollën 9-vjeçare “Kahraman Ylli”.

Në shtator të vitit të kaluar, zonjës i janë hequr dy ditë punë nga borderoja.

“Mua më kanë hequr nga puna pa paralajmërim. Arsyeja është se kam munguar disa herë në punë. Në muajin korrik 2017 pashë që në bordero më mungonin dy ditë pune dhe në gusht asnjë ditë pune. Unë jam socialiste dhe sulmohem pse jam socialiste. Kryetari i Bashkisë së Skraparit më lufton për bindje politike. Këtë gjë e vërtetoj me zgjedhjet e kaluara”, thotë zonja Lavdie.

Më tej, ajo shton se në zgjedhjet e kaluara i është dhënë urdhër që të votojë.

“Më kanë dhënë urdhër të votoj LSI-në, që të isha në punë, dhe të fotografoja votën. Kam dhe foton e votës”, thotë denoncuesja, ndërsa tregon edhe fotografinë ku duket që ka votuar numrin 26 në fletën e votimit, që korrespondon me subjektin politik LSI.

Ndërkohë, “Fiks Fare” ka pyetur edhe drejtoreshën e shkollës, e cila thotë se në bordero nuk i ka hequr asnjë ditë pune. “Ajo ka punuar të gjitha ditët e muajit. Është shumë korrekte në punë”, thotë drejtoresha.

Pas denoncimit, zonja Lavdie shkon në Bashkinë e Skraparit dhe takon drejtorin e Burimeve Njerëzore dhe përgjegjësin e sanitarëve.

“Dy data ke që të është hequr dita e punës, pastaj në shtator është marrë masa tjetër”, i thotë drejtori. Ndërkohë, sanitarja i përgjigjet:

“Nuk e di çfarë duhet të bëjë unë që po hiqem padrejtësisht nga puna se do Josel Musabelliu. Unë kam qenë në punë”.

Gazetarët e “Fiksit” e shoqëruan zonjën edhe në Bashkinë e Skraparit. Nënkryetari i sapoemëruar i kërkon që të plotësojë një apelim kundër vendimit të Bashkisë për largimin nga puna.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel