Besnik Hasi kishte të drejtë! Presidenti ‘shkrin’ Olimpiakosin

03/04/2018 14:14

Koha i dha të drejtë Besnik Hasit! Gjakovari u shkarkua me jo pak bujë nga Olimpiakosi për rezultatet e dobëta në kampionatin grek, por pasardhësit e tij jo vetëm që nuk bënë më mirë, por përkundrazi.

Katër javë nga përfundimi i kampionatit, Olimpiakos ndodhet gjashtë pikë poshtë AEK-ut kryesues dhe megjithëse matematika nuk e thotë që gara është e humbur, presidentit të klubit të Pireut i ka sosur durimi. Por, ndryshe nga koha kur ai dhe tifozët fajësonin shqiptarin Hasin, këtë herë fajtorët janë kolektivë.

“Unë dhe tifozët kemi duruar shumë, pushimet tuaja fillojnë sot”. Këto janë fjalët me të cilat u është drejtuar futbollistëve presidenti, Evangelos Marinakis, i cili përveçse ka dëbuar nga skuadra e parë thuajse të gjithë lojtarët, edhe i ka gjobitur ata me 400 mijë euro. Për pjesën e mbetur të sezonit është vendosur të hidhet në fushë ekipi e të rinjve.

Barazimi i së dielës kundër Levadhiakosit ishte pika që derdhi gotën.

“Do ta ndërtoj Olympiacosin nga e para dhe do ta bëj skuadrën që ne ëndërrojmë. Ju interesojnë vetëm paratë dhe makinat e shtrenjta, jo interesat e klubit. Ju paguaj milionat, sepse i keni cilësitë, por për shkakun tuaj kam larguar tre trajnerë. Faji në këtë rast është vetëm juaji”, ka deklaruar presidenti i klubit rekordmen grek.

Marinakis, që është pronar edhe i Nottingham Forest në Angli, sqaroi se nga 400 mijë euro gjobë, 200 janë për barazimin me Panathinaikosin, ndërsa 200 mijë të tjera për barazimin e fundit 1-1 kundër Levadhiakosit.

Sipas tij, kjo shumë do të investohet të futbollistët e U-20, që do së bashku me disa lojtarë që u kanë shpëtuar kritikave, do të mbyllin sezonin.

Top Channel