Ferrari-Ducati “ëndërrojnë” të përsërisin vitin e artë 2007

02/04/2018 16:40

Në vitin 2007, Kimi Raikkonen festonte titullin kampion me skuadrën e Ferrarit, në një betejë spektakolare në pistën e Interlagosit, ku ndahej shumë “hollë” në pikëvarazh me Lewis Hamiltonin dhe Fernando Alonson.

Në po të njëjtin vit, Casey Stoner me Ducati triumfonte në fundin e një sezoni elektrizues, triumf italian me një pilot ambicioz, që i mungon ende garave në klasin mbretëror të MotoGP-së.

Sfida rinis edhe këtë vit, me dy ekipet italiane të garave në Formulën 1 dhe MotoGP, që synojnë të përsërisin suksesin e vitit të artë 2007.

Plot 14 mijë kilometra distancë nga njëri-tjetri, Ducati në Argjentinë dhe Ferrari në Bahrein do të provojnë të dielën e 8 prillit që të përsërisin fundjavën fituese në nisjen e sezonit.

“Kokëkuqet” kryesojnë renditjet në sportet respektive. Ducati e Dovizioso në MotoGP arritën të shkëlqejnë në premierën e Katarit. Ferrari e Vettel në Formulën 1 bënë të njëjtën gjë në pistën “Albert Park” të Melbournit.

Skuadra italiane e Formulës 1 zbarkon tashmë në cirkuitin e “Sakhir”-it, me avantazhin psikologjik dhe jo vetëm numerik. Edhe sezonin e kaluar, në shkretëtirë gjermani Vettel imponoi rregullat e tij, por do të duhet ende shumë për të shtuar pikë të denja për titullin, përballë rivalëve që nuk dorëzohen kurrë, si Mercedesi dhe Hamiltoni.

Top Channel