Dritarja e përllogaritur e rihyrjes në atmosferë për laboratorin kinez hapsinor Tiangong 1, është ngushtuar shpejt. Koha e përllogaritur për rënien e tij në tokë tani, është nga mesnata e të dielës deri në orët e para të së hënës dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me 1 prillin.

Ekspertët po gjurmojnë modulin, ndërsa ndodhet në një lartësi jo të madhe në orbitë. Sidoqoftë, ata do të jenë të sigurtë për kohën e përplasjes finale në fazat e fundit të zbritjes së tij për shkak të ndërveprimit të laboratorit me atmosferën e sipërme.

Kina ka humbur komunikimin me modulin dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të kontrolluar rënien e tij. Sidoqoftë rreziku që pjesë të Tiangong të godasin zona të populluara konsiderohet shumë i ulët. Sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e modulit do të digjet në atmosferë dhe mundësia më e madhe është që ndonjë fragment që do të mbijetojë, të bjerë në det.

I hedhur në hapësirë në 2011 dhe i vizituar nga gjashtë astronautë kinezë, moduli Tiangong, 10 metra i gjatë dhe me peshë 8.5 tonë, duhet të ishte kthyer në mënyrë të kontrolluar. Zakonisht, raketat dërgohen për të komanduar stacione të tilla, me qëllim që ato të zhvendosen në ndonjë zonë të largët mbi oqeanin jugor.

Por, ky opsion, duket se nuk është i mundshëm, vecanërisht pasi stacioni kinez humbi lidhjet e komandimit në 2016.

13 agjenci hapësinore, nën koordinimin e ESA-s, Agjencisë Hapësinore Europiane po ndjekin tani trajektoren e tij. E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri për momentin është se asnjë copëz e stacionit nuk do të bjerë jashtë koordinatave 43 gradë nga ekuatori, në veri apo jug. Kjo përfshin një rajon që fillon nga Mesdheu dhe mbërrin deri në Tasmani.

Top Channel