Juventusi fitoi 3-1 ndaj Milanit në përballjen e së shtunës, duke e çuar në 4 pikë diferencën me ndjekësin më të afërt në Serie A, por trajneri Massimiliano Allegri kërkon nga ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë.

Sipas teknikut të kampionëve të Italisë, për titullin duhen 99 pikë.

“Mungojnë ende 8 ndeshje dhe për të marrë kampionatin do të na duhet të fitojmë 7 prej tyre. Le t’i marrim hapat me radhë, pasi aktualisht pikët që kemi nuk na mjaftojnë as për t’u kualifikuar në Champions, pasi të gjitha skuadrat e tjera po ngjiten. Ishte e rëndësishme të riktheheshim te fitorja, ndaj një Milani që tregoi se është një skuadër e mirë”, tha trajneri i Juventusit.

Një prej protagonistëve të ndeshjes ishte dhe Sami Khedira, i kontestuar nga tifozët deri në asistin dhe golin, me të cilin Juventusi “vrau” ndeshjen.

“Khedira është një futbollist i nivelit ndërkombëtar dhe di t’i interpretojë siç duhet momente të caktuara. Këta lojtarë nuk duhet kundërshtuar, por duhen duartrokitur, pasi në 7 vite kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme”, tha Allegri.

Juventus rikthehet në fushë të martën, me përballjen e parë ndaj Realit të Madridit në Champions.

Top Channel