U ndërtua në shekullin e 6-të nga Perandoria Bizantine si kishë dhe kur Konstandinopoja e asaj kohe e Stambolli i sotëm ra në duart e Perandorisë Osmane u shndërrua në një xhami.

Debatin për Hagia Sofian u duk sikur e vulosi Mustafa Kemal Ataturk, i cili e shndërroi ati në një muze. Por, ky debat është rikthyer sërish në Turqi dhe zërat për rikthimin e saj si xhami janë shtuar ndjeshëm.

Vetë Presidenti turk, Recep Taip Erdogan ushqeu më shumë këta zëra, kur të shtunën u kërkoi të ftuarve të tij që nga kjo ndërtesë të recitonin në heshtje vargjet e para të Kuranit “për të nderuar shpirtërat e atyre që lanë pas këtë trashëgimi, sidomos pushtuesit të Stambollit (Mehmetit II)”.

Kjo është interpretuar gjerësisht si një mbështetje që Presidenti turk u jep atyre që kërkojnë që ky muze të rikthehet të funksionojë si xhami.

Hagia Sofia është një ndër kryeveprat e arkitekturës botërore dhe e klasifikuar si monument i rëndësisë së veçantë nga UNESCO. Në vitin 1935, Mustafa Kemal Ataturk, i njohur edhe si “Babai” i Turqisë moderne e shpalli atë muze për të shmangur tensionet ndërfetare dhe politike.

Top Channel