Kosovë, Haradinaj shkarkon ministrin e Brendshëm dhe kreun e AKI-së

30/03/2018 10:22

Episodi i një ditë më parë ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjences (AKI), Driton Gashi.

Haradinaj, ashtu si kreu i shtetit Hashim Thaçi, u shpreh një ditë më parë se nuk ishin informuar në kohë mbi këto arrestime, e ajo që shefi i ekzekutivit e bëri të qartë se do të kërkonte në mënyrë të veçantë të sqaronte, ishte nxitimi i deportimit.

Lirimin nga detyra të dy zyrtarëve të lartë, nga sa sqarohet në deklaratën e lëshuar për shtyp prej zyrës së kreut të qeverisë, ai e ka shoqëruar me argumentin se operacioni i ndërprerjes së lejes së qëndrimit të 6 shtetasve në fjalë, ndalimi i tyre dhe dëbimi i fshehtë e urgjent nga territori i Republikës së Kosovës drejt Turqisë ka ndodhur pa u informuar më parë kryeministri dhe pa lejen e tij.

Në letrën e shkarkimit, Haradinaj thekson se veprimet e së enjtes janë tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet e Kosovës, si popull dhe si shtet.

Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Huseyin Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya and Yusuf Karabina janë përshkruar që të gjithë si pjesëtarë të lartë të rrjetit të klerikut të mërguar në Amerikë, të cilin presidenti i Turqisë Reccep Tayyip Erdogan e akuzon për grushtin e dështuar të shtetit dy vite më parë.

Agjencitë turke të lajmeve thonë se, 6 të deportuarit nga Kosova janë tani në duart e autoriteteve turke, që i konsiderojnë përgjegjës për rekrutime në rrjetin e Gulenit dhe se kanë ndihmuar disa ndjekës të tij në Turqi të largohen nga vendi në mesin e aksionit që prodhoi mijëra shkarkime nga puna e arrestime.

Avokati Tomë Gashi pretendon se Erdogani i ka bërë presion të drejtpërdrejtë presidentit Hashim Thaçi dhe ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, të cilët pak muaj më parë u takuan me të në Nju Jork. Thaçi thotë se nuk ia ka kërkuar askush t’i arrestojë këta persona.

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli u vendos me shpatulla pas murit nga një gazetare, që i kujton se Ministria e Brendshme fillimisht pretendonte që shtetasve në fjalë u kishte skaduar leja e qëndrimit, gjë që nuk rezultoi e vërtetë.

“Unë për këto arrestimet kam dëgjuar po aq sa edhe ju. Nuk është çështje e Ministrisë së Jashtme. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me shtetin turk”, tha Pacolli.

Nxënësit e kolegjeve “Mehmet Akif” protestuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kundër arrestimit të profesorëve të tyre dhe kishin zgjedhur të shkonin pikërisht atje, sepse besonin që të arrestuarit ishin ende në aeroport.

Top Channel