F1, e mërzitshme pa parakalime? “Liberty Media” nis “riparimet”

30/03/2018 12:42

Formula 1 ka qenë thuajse gjithmonë një sinonim i spektaklit dhe manovrave të guximshme, e mijëra tifozë që ndjekin garat në pistat anembanë botës apo nëpërmjet ekranit të vogël, mbeten të mbërthyer pikërisht nga adrenalina që prodhon kjo.

Por, duket se pakësimi i parakalimeve e kufizimeve të shumta përmes rregullave, po e reduktojnë ndjeshëm entuziazmin.

Padronët e rinj të Formulës 1 kanë ngritur një grup teknik që kryesohet nga Ross Brown. Nuk mjafton modifikimi i makinave dhe i rregullores, por do të rishikohet edhe modeli i pistave.

Sigurisht që Formula 1 nuk është një garë e MotoGP për të menduar parakalime dhe kundërparakalime thuajse utopike. Por, ajo që duhet evituar është mbretërimi i mërzisë, si në premierën e Melbournit këtë muaj.

“Nëse do të isha një i apasionuar pas Formulës 1 do ta kisha fikur televizorin”.

Mjafton kjo fjali e pilotit Max Verstappen për të bërë drejtuesit që të rimendojnë dozën e spektaklit. 58 xhirot e garës përuruese të Botërorit numëruan 15 parakalime, por në realitet, i vetmi që kujtojnë tifozët është ai i Daniel Ricciardos në dëm të Niko Hulkenbergut.

Kjo manovër është pak për 94.500 australianët që vendosën të shpenzojnë pasditen e vonë në pistën “Albert Park”, duke konsideruar se mesatarja e shpejtësisë në këtë cirkuit është 200 kilometra në orë.

Top Channel