Triumfi në “Rusi 2018”, shpërblim i majmë për futbollistët e Spanjës

29/03/2018 14:19

Futbollistët e përfaqësueses spanjolle do të përfitojnë 800 mijë euro bruto, ose 400 mijë euro neto secili, në rast se “La Roja” do të mund të fitojë Botërorin e Rusisë, që do të zhvillohet nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Sipas të përditshmes “Marca”, është arritur akordi me Federatën Spanjolle të Futbollit, por kjo çështje nuk është mbyllur ende përfundimisht, për shkak të situatës në të cilën ndodhet ky institucion.

Mendohet se gjithçka do të zyrtarizohet pas përfundimit të zgjedhjeve në këtë Federatë, kur kapitenët e skuadrës do të takohen me Fernando Hierron dhe presidentin që do të zgjidhet nga ky proces, për të ratifikuar marrëveshjen.

Në Botërorin e Afrikës së Jugut, Spanja fitoi 600 mijë euro bruto, ndërsa në Botërorin e Brazilit do të fitonte 720 mijë euro, por pa ia dalë mbanë, duke qenë se Spanja u eliminua që në fazën e grupeve.

Ndërkohë, vet Federata Spanjolle do të ketë përfitimet e saj nëse “La Roja” do të shpallet kampione e botës. Në fakt, shpërblimi i përcaktuar nga FIFA për ekipin triumfues është 35 milionë dollarë.

Top Channel