Pas humbjes 4-1 me Sllovakinë, në ndeshjen e kthimit në transfertë, përfaqësuesja e Shqipërisë U21 ka dalë jashtë objektivave për kualifikim në Europianin e ardhshëm.

Pavarësisht ndeshjeve të mira, që Kombëtarja U21 ka zhvilluar në këto kualifikuese, mungesat e herëpashershme kanë treguar limitet e këtij ekipi.

Pas këtyre dy ndeshjeve, trajneri Alban Bushi bën analizën e tij.

“Pas një humbjeje të thellë 4-1 nuk ndihem mirë, sepse ishte e rëndë. Si staf bëjmë analizën dhe shohim ku kemi gabuar. Disfata e parë në ‘Selman Stërmasi’ ndikoi në ndeshjen e dytë. Kishim lojtarë me pak minuta në këmbë dhe shumë mungesa. E dinim që do ta kishim të vështirë. Kemi bërë gabime amatoreske në mbrojtje, por nuk mund të themi se kemi qenë të shthurur. Është e vështirë të përballesh me një skuadër si Sllovakia, që ka lojtarë shumë të mirë. Kemi patur vetëm një ‘stoper’ për një vit. Sa i përket lojës, mendoj se kemi marrë atë që kërkojmë, duke mbajtur në kontroll dhe qarkulluar topin. Shqipëria po e qarkullon topin më shumë se kundërshtarët. E vetmja ndeshje ku ekipi nuk u përgjigj si duhet, ishte kjo e fundit dhe ndodhi për shkak të mungesave. Bare, Abazaj, Ramadani kishin rritur nivelin e lojës, por edhe shumë të tjerë. Na munguan 11 lojtarë, praktikisht e gjithë skuadra”, tha Alban Bushi.

Sa i përket brezit aktual, edhe Bushi, ashtu si Panucci, vuajnë të njëjtin problem: mosaktivizimin e lojtarëve në klubet respektive.

“Është shumë e vështirë për trajnerin të ketë lojtarë pa minuta në këmbë. Për këtë i jap të drejtë edhe Panuccit. Po punojmë shumë me të gjitha skuadrat e moshave për të nxjerrë lojtarë aty ku kemi nevojë, siç janë stoperat. Është edhe çështje brezash, mendoj. Kemi te U-17 dhe U-19, e ardhmja është e mirë”, deklaroi më tej Alban Bushi.

Top Channel