Tirana vazhdon marshimin e saj bindës drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, pasi fitoi 5-1 ndaj Apolonisë, në një ndeshje ku dominoi dhe dhuroi spektakël, pa vënë asnjëherë në diskutim suksesin.

Maratona e golave për ekipin bardheblu nisi me avantazhin e Grecës, që në minutën e 6, për ta mbyllur po i njëjti futbollist në kohën shtesë.

Protagonistë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ishin gjithashtu talenti Muçi me dy gola, si dhe kapiteni Erando Karabeci, në minutën e 78. Rrjeta e nderit për Apoloninë erdhi nga Dimo, në fundin e sfidës, por fierakët bënë shumë pak për të merituar pikë në kryeqytet.

Me suksesin e kësaj të mërkure, formacioni i trajnerit Ze Maria shkëputet në vendin e parë me 7 pikë më shumë sesa ndjekësi më i afërt, Bylis, e kur duhen dy muaj nga fundi i sezonit janë favoritët numër 1 për titullin në Kategorinë e Parë.

Top Channel