Lacio, prè e mashtrimit “online”: Dy mln euro për De Vrij…te “hacker”-at

28/03/2018 16:58

Mashtrimet financiare në internet janë përhapur në mënyrë masive në vitet e fundit, e piratët kompjuterikë në jo pak raste kanë cënuar edhe sigurinë e shumë bankave e institucioneve të rëndësishme.

Prè e mashtrimeve “online” ka rënë së fundmi edhe skuadra e futbollit italian, Lacio.

Ekipi, që ka për drejtor sportiv shqiptarin Igli Tare, ka bërë gabimisht një pagesë prej dy milionë eurosh për Feyenoordin, ish-skuadrën e mbrojtësit Stefan De Vrij, që është pranë largimit tashmë nga ekipi roman.

Lacio paguan këste ndaj ekipit holandez që prej vitit 2014, e këtë vit duhej të derdhte edhe një shumë për shkak të transaksionit të parashikuar. Por, sipas gazetës “Il Tempo”, një “e-mail” mashtrues i nisur nga “hacker”-a por i kamufluar sikur vinte nga Feyenoordi, bëri drejtuesit që të dërgojnë parà në një llogari në “parajsa fiskale”, të administruar nga një bankë holandeze.

Lacio u informua mbi mashtrimin vetëm pasi Feyenoordi raportoi se nuk kishte marrë pagesën për mbrojtësin De Vrij, duke bërë edhe denoncimin, që gjithsesi i ka rikuperuar vetëm 200 mijë euro. Pjesa tjetër ka lënë shenjë në sistemin bankar holandez, por skuadra e futbollit italian ende nuk ka gjetur autorët e mashtrimit.

Lacio nuk është ekipi i parë i futbollit që bie prè e skemave të mashtrimit në internet, pasi më parë këtë vit, edhe skuadra e Hamiltonit në Angli pagoi një milion paund në një adresë të rreme të kamufluar.

Top Channel