Pasi kanë zhvilluar rreth 5 ditë stërvitjeje nga trajneri Panucci, gjërat me sa duket janë të qarta për trajnerin italian, por edhe për lojtarët.

Në pamje të parë, bazuar në listën e të grumbulluarve të Panuccit, duket se në krahun e majtë ende nuk janë gjetur zgjidhje përfundimtare, e mbrojtësi i krahut të djathtë të Napolit, Elseid Hysaj duket të jetë i gatshëm të sakrifikojë.

“Besoj se kemi lojtarë shumë të mirë në krahun e majtë, por nëse ka nevojë trajneri dhe ekipi, unë luaj edhe në të majtë, edhe në qendër, edhe kudo”, tha Hysaj.

Shkodrani është një nga lojtarët më të kërkuar nga klubet europiane, mes atyre të ekipit të Napolit. Së fundmi, emri i tij është shfaqur edhe në listën e Bayern Munchen.

“Normalisht që ndihem shumë mirë, sepse do të thotë se po vlerësohet puna ime. Gjithsesi, unë jam i përqëndruar të jap më të mirën në fushë, ndërsa të tjerat vijnë vet më pas”, tha më tej Hysaj.

Ndërkohë, reparti i sulmit duket të ketë alternativa me bollëk për trajnerin italian, tashmë me rikthimin edhe të Bekim Balajt.

“Është një mungesë relativisht e gjatë në Kombëtare, për arsye të një dëmtimi që më la jashtë fushave. Është një vlerësim që jam rikthyer dhe po arrij formën time më të mirë, ndaj shpresoj të kem mundësi të luaj dhe të jap më të mirën. Të gjithë lojtarët kanë treguar një formë mjaft të mirë dhe kushdo që të luajë, jam i sigurtë që do të japë maksimumin. Natyrisht që gjithsecili kërkon sa më shumë hapësira, por në fund është trajneri ai që vendos dhe ne duhet thjesht të jemi në gatishmëri”, tha Balaj.

Top Channel