Orkestra e RTSH lë instrumentet për lopatën, mbjellin pemë tek Teatri i Hapur

24/03/2018 13:27

Orkestra Simfonike e RTSH-së iu bashkua nismës së mbjelljes së pemëve, e cila siç u bë i ditur nga vete kryebashkiaku Veliaj u shty deri më 22 prill.

Ata mbollën disa pemë rreth Amfiteatrit të Liqenit Artificial, i cili po rikonstruktohet për t’u shndërruar në Teatrin e Hapur të Tiranës, që gjatë pranverës dhe verës do të mirëpresë shumë aktivitete artistike.

“Ky është një investim në natyrë, ku shpresoj që edhe ju do të sillni shfaqjet tuaja. Ndaj, jam shumë i lumtur që miqtë tanë të Orkestrës së RTSH na u bashkuan dhe për një çast lanë instrumentet e tyre, për të marrë një instrument tjetër, po aq të rëndësishëm për qytetin: lopatën, e për të na u bashkuar si një kor në këtë ‘muzikë të gjelbërimit’ që kemi ‘kënduar’ ditët e fundit. Ju falenderoj shumë!”, tha ai.

Veliaj tha se janë të shumtë qytetarët që e frekuentojnë këtë mjedis gjatë gjithë vitit, ndaj rikthimi në identitet do t’i kthejë qytetarëve që kalojnë orët e tyre në këtë pjesë të liqenit, i cili do të jetë jo thjesht një ambient modern edukimi e argëtimi, por edhe një skenë teatrore.

Dirigjenti Oleg Arapi, u shpreh i entuziazmuar për atmosferën e re që po merr e gjithë kjo zonë, duke i dhënë të rinjve një teatër të ri në natyrë e plot gjelbërim.

“Zgjodhëm lopatën pikërisht për t’u krijuar një atmosferë sa më të këndshme brezave në vazhdim, fëmijëve tanë në radhë të parë, dhe për të krijuar një mjedis sa më të këndshëm, që të kemi mundësi të japim koncerte të bukura në këtë skenë të bukur që keni krijuar. Shpresoj që do e kënaqim publikun në çdo stinë”, tha Arapi.

 

Top Channel