SHBA, “luftë” edhe me Kinën. Pekini: S’ia kemi frikën

23/03/2018 12:13

Frika se, plani i Donald Trumpit për vendosjen e tarifave 60 miliardë dollarëshe mund të shkaktojë një luftë tregtare, ka prekur tregjet e aksioneve. Indeksi “Nikkei” i Japonisë ra me 4.5% mëngjesin e së premtes, ndërsa “Dow Jones” me 2.9%.

Lëvizjes së Trumpit, Pekini iu përgjigj duke thënë se nuk e dëshiron një konflikt tregtar, por nuk ia ka aspak frikën një përballjeje të tillë, dhe se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e interesave të tij.

Tarifat amerikane janë një reagim ndaj akuzave për grabitje të pronës intelektuale nga Kina, si dhe vjedhjes e transferimit jo të ligjshëm të teknologjisë amerikane te kompanitë kineze.

“Po ndodh një vjedhje e jashtëzakonshme”, deklaroi Trump. “Shtetet e Bashkuara, – shtoi ai, – duan të zhvillohet tregti reciproke dhe të ketë një marrëveshje për tarifat me Kinën dhe me vende të tjera, por nëse na bëjnë të paguajmë, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne”.

Gjatë presidencës së tij 14-mujore, presidenti republikan e ka vlerësuar shpesh homologun kinez, Xi Jinping, duke cituar marrëdhëniet e mira që ka me të. Por, nga ana tjetër, shefi i Shtëpisë së Bardhë është ankuar për deficitin tregtar vjetor të Shteteve të Bashkuara me Kinën, me vlerën e 375 miliardë dollarëve, të cilin e citon dhe si arsye për vendosjen e kufizimeve të reja.

Falë rritjes së tarifave tregtare, Trump shpreson ta shkurtojë këtë deficit. Megjithatë, grupe që përfaqësojnë gjigantët amerikanë të shitjes me pakicë, si “Walmart” dhe kompanitë e teknologjisë, përfshirë “Apple”, – thotë “Zëri i Amerikës”, – paralajmërojnë se tarifat e reja mund të rrisin çmimet edhe për konsumatorët në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel