Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini ndërmjetëson mbrëmjen e së premtes takimin e radhës mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një njoftim të zyrës së kryediplomates europiane thuhet se, dy udhëheqësit do të vazhdojnë diskutimet mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e do të vlerësojnë punën e vazhdueshme në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator të vitit 2017, po nën kujdesin e Mogherinit. Gjatë qëndrimit së fundi në Shtetet e Bashkuara, kreu i shtetit serb u shpreh se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë si çështje të mbyllur.

“Jam i kënaqur me punën dhe përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kjo, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Në një nismë të nisur me kohë, Vuçiç ka paralajmëruar se në muajin prill mund të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke theksuar se për këtë nevojitet edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai hodhi poshtë pretendimet se ka zhvilluar takime private me Thaçin, apo që të ketë diskutuar me të mbi ndarjen e Kosovës, e këtë e thotë edhe vet presidenti i Kosovës. Mediet në Kosovë, ndërkohë, citojnë gazetën serbe “Danas” të shkruajë se, Vuçiç ka në plan që deri më së largu janarin e vitit 2019 të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë, në preambulën e së cilës Kosova shënohet si territor serb.

Top Channel