Francë, pengmarrje në supermarket; tre viktima, vritet dhe autori

23/03/2018 13:28

Hyri duke thënë “Jam i ISIS-it” dhe qëlloi me armë zjarri kundër klientëve dhe punonjësve të një supermarketi në Trebes, në jug të Francës.

Ajo që fillimisht u duk të ishte një grabitje, rezultoi në një sulm të armatosur nga një person në të tridhjetat, i cili thërriti “Zoti është i madh” në gjuhën arabe. Një dëshmitar i cituar nga mediat lokale tregon se agresori kishte thënë se po hakmerrej për luftën në Siri.

“Ju po bombardoni Sirinë dhe tani duhet të vdisni”, mësohet të ketë thënë ai. E përditshmja “La Depeche”, që citon kryebashkiakun e Trebes, Eric Menassi, bëri të ditur se burri kishte nxjerrë pistoletën duke qëlluar 5 herë, me pasojë vdekjen e dy personave. Sipas dëshmive, atentatori kishte me vete edhe granata. Ndërkohë, viktima e tretë është gjetur në Carcassone dhe dyshohet të ketë si autor 30-vjeçarin e sulmit në supermarket. Mendohet se viktima e tretë është vrarë me plumb në kokë dhe i është marrë makina.

Kryeministri francez, Edouard Philippe e cilësoi situatën si tepër të rëndë, duke pohuar se informacionet e deritanishme sugjerojnë se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Klientët e marrë peng arritën të largoheshin pak më vonë, ndërsa personi i armatosur qëndroi brenda bashkë me një polic.

Policia franceze njofton se ka vrarë pengmarrësin pas një ndërhyrje që bëri në supermarketin ku ai mbante prej disa orësh 10 pengje. Më herët ai kish vrarë dy pengje dhe një polic, të cilit i kishte marrë makinën.

I dyshuari mendohej se ishte i armatosur rëndë dhe ka kërkuar lirimin e Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet e Parisit në 13 nëntor 2015, kur u vranë 130 persona.

Top Channel