Reshjet e dëborës të nisura herët në mëngjes në zonat veriore janë shoqëruar me stuhi dhe ulje të temperaturave.

Si pasojë, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve për shkak të ngricave në rrugë. Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren për hedhjen e kripës. Në Kukës, Rruga e Kombit është e hapur, ndonëse ka reshje bore dhe ngrica. 8 borëpastruese janë angazhuar për hedhjen e kripës dhe largimin e borës në të dyja anët e rrugës, ndërkohë që policia ka ngritur postoblloqe në rrugë për të këshilluar drejtuesit e automjeteve.

Ndërsa në Bulqizë, situata e rënduar nga reshjet e dendura të dëborës ka bllokuar fshatrat Trebisht, Ostren, Martanesh, Zerqan, Shupenzë dhe Fushë-Bulqizë. Aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi kalohet me zinxhirë, po ashtu edhe Qafë e Buallit-Krastë, e cila herë pas here bllokohet. Aksi Ura e Çerenecit-Stëblevë është i bllokuar, ndërsa Qafë e Buallit-Klos kalohet me zinxhirë. Trashesia e dëborës në Bulqizë arrin në 40 cm, ndërsa në zonat malore shkon deri në 1 metër.

Ndërkohë, në Dibër reshjet e dendura të borës kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe mëngjesit të sotëm. Trashësia e borës në qytet shkon mbi 25 cm, ndërsa në zonat e thella shkon deri në 50 cm. Të izoluara janë Lura dhe pjesërisht fshatrat Selishtë, Kala e Dodës dhe Sllovë. Rrugët kombëtare janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa disa prej rrugëve rurale paraqesin vështirësi në qarkullim.

Edhe në Pukë reshjet e borës kanë mbuluar rrugët e qytetit. Reshjet që kanë filluar që prej së enjtes vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së premte.

Nga reshjet e shiut, uji ka dalë edhe mbi pedonalen e qytetit të Lezhës. Ndërkohë, në Shirokë uji ka hyrë edhe në disa banesa.

Top Channel