Akuza e Rusisë, shefi i laboratorit britanik: Agjenti s’ka dalë prej këtej

23/03/2018 21:10

Shefi ekzekutiv i laboratorit britanik “Porton Down” ka mohuar kategorikisht mundësinë që agjenti nervor i përdorur për helmimin e ish-spiunit rus dhe vajzës së tij të ketë dalë ky mjedis, sikurse nuk mund të lidhet asnjë agjent nervor i magazinuar atje me tentativën për vrasjen e tij.

Gary Aitkenhead është shprehur për BBC-në se, sugjerimet nga ana e Rusisë se afërsia e laboratorit me vendngjarjen e incidentit në Salisbury mund të lindë dyshime, ishin krejtësisht irrituese.

Ai shtoi se laboratori ka nivelet më të larta të kontrollit dhe sigurisë. Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike për jetën në spital.

Në një përditësim, Departamenti i Shëndetësisë Publike në Angli njoftoi njerëzit që mund të kenë qenë në klubin “Mill” dhe restorantin “Zizzi” në Salisbury, vende të vizituara nga dyshja Skripal, e që mund të kenë pasur veshje që mund të pastrohen vetëm përmes pastrimit kimik, të mund t’i dorëzojnë ato pranë këshillit hetimor.

Njoftimi thotë se, kushdo që ka qenë në njërin prej dy destinacioneve mes orës 13:30 të së dielës së 4 marsit dhe së hënës, duhet të paraqitet për të dorëzuar veshjet e tyre kundrejt kompensimit.

Një këshillë e mëparshme e këtij departamenti u bënte thirrje njerëzve të lanin gjithçka mundeshin si masë paraprake, ndërsa rrobat që kishin nevojë për pastrim kimik t’i fusnin në qese plastike të dyfishta, deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme (Foreign Office) njofton se 23 diplomatët britanikë të dëbuar nga Rusia si kundërpërgjigje e dëbimit nga Britania të 23 diplomatëve rusë, kanë mbërritur tashmë në bazën e Forcave Ajrore Mbretërore, “Brize Norton”.

Ky zhvillim vjen teksa udhëheqësit e BE-së kanë premtuar veprime të mëtejshme të koordinuara kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit, duke përqafuar kështu paralajmërimin e kryeministres Theresa May se helmimi përfaqëson nëj sfidë ndaj vlerave të përbashkëta europiane.

Top Channel