Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias viziton këtë të enjte Maqedoninë, ku pritet të ketë me vete një zgjidhje kompromisi për çështjen e emrit.

“Gorna Makedonija”, apo “Maqedonia e Epërme” duket të jetë formula magjike, me të cilën do të zgjidhet pas 27 vitesh konflikti për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Këtë e ka sinjalizuar pala greke, në raundin më të ri të negociatave me ndërmjetësimin e OKB-së.

Mediet greke shkruajnë se, ministri i Jashtëm Kotzias ka një paketë të kompletuar kompromisi, në pajtim me pozionet e qarta të negociimit të qeverisë greke.

Pala greke kërkon që termi sllav të mos përkthehet. Por, Spiros Danelis, deputet i partisë socialliberale “To Potami” e kritikon një qëndrim të tillë, si një shenjë tjetër të mendimit irracional.

Mbetet gjithashtu me pikëpyetje nëse Maqedonia do të bjerë dakord me emrin “Maqedonia e Epërme”. Edhe nëse ajo bie dakord, konflikti nuk zgjidhet menjëherë.

Jorgos Tzogopoulos, docent për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Trakisë thotë se, më e rëndësishme sesa ndërmjetësimi i OKB-së është që vendi fqinj të sanksionojë me Kushtetutë emrin e ri të shtetit.

Kushtetuta, sipas tij duhet ndryshuar edhe në atë mënyrë që të përjashtohen pretendimet territoriale ndaj Greqisë. Më 30 mars, ndërmjetësuesi Matthew Nimetz do të thërrasë në Vjenë një raund të ri bisedimesh për çështjen e emrit.

Top Channel