Kontrollet e policisë në Tiranë, dy të arrestuar për armëmbajtje pa leje

22/03/2018 12:07

Policia e Tiranës vijon zbatimin e planit të masave me kontrolle të shtuara në kryeqytet, si rezultat i të cilave ka vënë në pranga dy persona që qarkullonin me armë zjarri.

Kontrollet vijojnë nga “Shqiponjat”, Forcat e Operacioneve Speciale në D.V.P Tiranë, Patrullat e Përgjithshme si dhe nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Ndërkohë janë shoqëruar për verifikim në Komisariatet e Policisë Tiranë, 22 shtetas, me preçedentë penalë të mëparshëm.

Si rezultat i kontrolleve, në territorin që mbulon Komisariati i Policisë nr. 1, rreth orës 22:30, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Policia Dritan Aga, 37 vjeç, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër me 10 fishekë, 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit “Cannabis Sativa”.

Gjithashtu në rrugën “Dritan Hoxha”, tek sheshi “Karl Topia”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Seat”, që drejtohej nga Enver Sylaj, 27 vjeç, nga Tropoja , u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me dy krehëra me 14 fishekë.

Kontrollet do vijojnë në kohë dhe orare të ndryshme në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Top Channel