Francë, ish-presidenti Sarkozy vihet nën hetim formal

22/03/2018 08:24

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është vendosur nën hetim formal mbi akuzat se ka marrë financime për fushatën presidenciale nga ish-udhëheqësi i vrarë libian, Muammar Gaddafi.

Ai po hetohet për financim të paligjshëm të fushatës, shpërdorim të fondeve publike libiane dhe korrupsion pasiv. Sarkozy u lirua të mërkurën pas dy ditëve marrjeje në pyetje mbi financimin e fushatës së suksesshme presidenciale të vitit 2007. Megjithatë, 63-vjeçari Sarkozy mohon të ketë shkelur ligjet.

Ai thotë se akuzuesit libianë po kërkojnë “hakmarrje” ndaj vendimit të tij për të dërguar avionët luftarakë francezë gjatë trazirave që rrëzuan Gaddafin në vitin 2011. Politikani i qendrës së djathtë dështoi në përpjekjen e tij për t’u rikthyer në pushtet në vitin 2012, duke humbur përballë socialistit të asaj kohe, François Hollande.

Në vitin 2013, Franca nisi një hetim mbi akuzat se fushata e Sarkozysë përfitoi miliona euro financime të paligjshme nga Gaddafi. Një nga ish-ministrat e Sarkozysë dhe aleat i afërt, Brice Hortefeux, raportohet gjithashtu të jetë marrë në pyetje nga policia gjatë së martës.

Një ish-ndihmës i tij, Alexandre Djouhri, po lufton kundër ekstradimit në Francë, pasi u arrestua në Londër gjatë muajit janar me dyshimin e pastrimit të parave, si pjesë e këtij hetimi. Biznesmeni zviceran mohon ndonjë shkelje, e thotë se hetimi është i motivuar politikisht, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Pretendimet për financim nga Gaddafi vijnë nga një biznesmen franko-libanez, Ziad Takieddine, e disa prej ish-zyrtarëve të regjimit të Gaddafit. Sarkozy u arrestua në vitin 2014 pas një tjetër hetimi për abuzime me financat e fushatës së tij, hera e parë kjo që i ndodhte një ish-presidenti francez.

Top Channel