Demarkacioni, Ambasada e SHBA: Konfirmohet vendi i Kosovës në Europë

22/03/2018 13:51

Pas përshëndetjes që i bëri ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ditën e mërkurë, ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte Ambasada e SHBA-ve ka dalë edhe me një deklaratë për mediet, ku thekson se kjo përbën një arritje të rëndësishme që konfirmon vendin e Kosovës në Europë.

Ambasada amerikane në Prishtinë uron popullin e Kosovës, ndërsa thekson se tashmë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen e tyre te çështjet e tjera nga agjenda e prioriteteve që do ta shtyjnë Kosovën përpara drejt sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe aspiratave euroatlantike.

“Urime popullit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi! Ratifikimi është një arritje e rëndësishme që konfirmon vendin e Kosovës në Europë. Çdo deputet i Kuvendit që votoi për të ratifikuar këtë marrëveshje, mund të jeni krenar që e dini se keni bërë veprimin e duhur dhe të guximshëm për të mirën e shtetit tuaj. Tani Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen e tyre te çështjet e tjera nga agjenda e prioriteteve, që do ta shtyjnë Kosovën përpara drejt sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe aspiratave euroatlantike të saj. Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për arritjen e integrimit të plotë në familjen europiane të kombeve”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane.

Top Channel