Një video e publikuar në rrjetet sociale nga një qytetar tregon situatën e rënduar sa i takon sigurisë rrugore në një pjesë të autostradës Tiranë-Durrës.

Sipas qytetarit, çdo ditë, dhjetëra makina dalin nga rruga, pasi iu çahen gomat nga gropat e thella që gjenden në aksin Vorë-Maminas dhe anasjelltas.

Disa automjete pësuan njëkohësisht dëmtime serioze, që mund të sillnin edhe aksidente.

Kamera e Top Channel shkoi në vendin e ngjarjes këtë të enjte, aty ku situata është vërtet e rëndë.

Përveç disa arnimeve nga kompania që ka fituar tenderin për të mirëmbajtur këtë rrugë, asnjë masë tjetër nuk është marrë, megjithëse Policia Rrugore përmes disa shkresave i ka kërkuar Autoritetit Rrugor ndërhyrje për situatën problematike.

Gjendja e rrugës është kthyer në burim aksidentesh. Gropat, që mbulohen me asfalt sipërfaqësor, hapen sërish brenda pak ditësh, apo menjëherë pas reshjeve të shiut, ndërsa dëmi shkon në kurriz të qytetarëve, të cilët ndonëse paguajnë taksa, duhet të paguajnë edhe për amortizimin dhe dëmin e automjeteve të tyre.

Por, veç dëmit ekonomik, qytetarët që përshkuajnë këtë aks duhet të rrezikojnë edhe jetën e tyre.

Top Channel