Skandali i blerjes së votave, jep dorëheqjen presidenti i Perusë

21/03/2018 23:26

Presidenti i Perusë, Pedro Pablo Kuczynski ka dhënë dorëheqjen pasi ishte akuzuar si i implikuar në skandalin e blerjes së votave.

Në një fjalim drejtuar kombit të tij, z. Kuczynski mohoi implikimin, por tha se nuk donte të ishte një “pengesë” në zhvillimin e vendit.

Presioni ka ardhur në rritje ndaj tij, pasi u shfaqën filmat e aleatëve të tij që u ofrojnë politikanëve të opozitës shpërblime financiare nëse e mbështetën atë në votim.

Z. Kuczynski, 79 vjeç, mbijetoi në pushtet gjatë një votimi të veçantë në dhjetor. Kundërshtarët e tij donin ta largonin për dyshime se merrte pagesa të paligjshme nga gjiganti i ndërtimit brazilian, Odebrecht.

Por ai mbajti pushtetin me një diferencë të vogël dhe akuzoi opozitën për përpjekjen për të bërë një grusht shteti. Në fjalimin e tij, Z. Kuczynski tha se pamjet e videos ishin redaktuar për ta akuzuar atë.

“Opozita është përpjekur të më përshkruajë mua si një person i korruptuar dhe ata kanë arritur të ndikojnë një grup punonjësish të arsyeshëm dhe të ndershëm rreth meje, duke i futur ata në mënyrë të padrejtë në këtë komplot për të shkatërruar qeverinë”, tha ai.

“Unë i refuzoj kategorikisht këto pohime të pabazuara dhe riafirmoj angazhimin tim për një Peru të ndershme për të gjithë”.

Top Channel