“Mos e përgëzo Putinin”, por Trump injoroi këshilltarët e stafit

21/03/2018 18:25

Presidenti amerikan Donald Trump nuk i ndoqi paralajmërimet dhe udhëzimet e këshilltarëve të tij, kur përgëzoi homologun rus Vladimir Putin për fitoren në zgjedhje.

Një nga shënimët që Trump mori para telefonatës me Putinin shkruante qartësisht dhe me gërma kapitale “MOS E PËRGËZO PËR FITOREN”.

Vendimi i Trumpit për të injoruar rekomandimin e ndihmësave të tij u raportua së pari nga gazeta “Ëashington Post”, por u konfirmua më pas edhe nga medie të tjera.

Madje, ato raportojnë se presidenti Trump u zemërua tej mase, pasi u mor vesh publikisht se ai nuk dëgjoi ndihmësit dhe përgëzoi Putinin.

Sipas medieve, Trump pyeti mjaft njerëz të stafit se kush mund t’ua kishte kaluar informacionin medieve, diçka që në këtë rast nuk është vetëm arsye për shkarkim nga detyra, por edhe e jashtëligjshme.

Pavarësisht zemërimit të Trumpit dhe shefit të stafit, John Kelly, që tashmë po kërkon me ngulm spiunin mes stafit, dëmi është bërë dhe Trump duhet të përballet me kritikat, jo vetëm që përgëzoi Putinin, por edhe që vepron me kokën e tij.

Senatori republikan John McCain, mes shumë të tjerëve, tha se presidenti amerikan nuk mund të udhëheqë botën e lirë duke uruar diktatorët për fitoren në zgjedhje farsë. Sipas McCain, Trumpi ofendoi çdo rus që iu mohua e drejta e votës dhe shumë të tjerë që rrezikojnë shumë duke kundërshtuar Putinin.

Perëndimi është treguar mjaft i kursyer në urimet për Putinin, i cili fitoi me 76% të votave në zgjedhjet praktikisht pa rivalë, sidomos pas episodit të ish-spiunit rus që u helmua me agjent nervor në Britani.

Top Channel