Johnson pranon: Putin do ta shfrytëzojë Botërorin, si Hitleri Olimpiadën e 1936-s

21/03/2018 20:33

Presidenti Putin po e përdor Kupën e Botës në Rusi si një “ushtrim PR-i (marrëdhënieje publike)”, në të njëjtën mënyrë siç Hitleri përdori Lojërat Olimpike të vitit 1936.

Ky është pretendimi i ngritur nga deputeti laburist, Ian Austin, me të cilin në fakt bie tërësisht dakord edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, teksa ky i fundit thekson më tej se ai (Austin) ishte “totalisht i saktë” kur tha se presidenti rus kërkonte të “lustronte regjimin e tij brutal e të korruptuar”.

Johnson tha se do t’i duhej të kishte një “bashkëbisedim urgjent” me Rusinë mbi sigurinë e tifozëve anglezë gjatë këtij turneu, por një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme iu kundërpërgjigj duke thënë se ai (Johnson) “ishte helmuar nga urrejtja”.

Nëse Johnson ka folur në emër personal apo jo, këtë e sqaroi një zëdhënëse e “Downing Street”, kur konfirmoi se Sekretari i Jashtëm ka folur në emër të qeverisë dhe shtoi se ata po punonin ngushtësisht me policinë britanike mbi planet e sigurisë gjatë Kupës së Botës.

Kryediplomati i Mbretërisë së Bashkuar tha se “e një rëndësie vendimtare”, fakti që mes 23 diplomatëve britanikë që po dëbohen nga Rusia janë të përfshirë edhe individë përgjegjës për tifozët e futbollit. Ministria e Jashtme britanike, “Foreign Office”, do të përgatisë tashmë këshilla të detajuara mbi udhëtimin drejt Federatës Ruse, përpara se të nisë Botërori.

Ky shkëmbim akuzash erdhi teksa Komiteti i Përzgjedhur i Marrëdhënieve me Jashtë diskutoi mbi sulmin ndaj ish-spiunit rus në Salisbury. Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia mbeten në gjendje kritike për jetën në spital, pasi u helmuan me agjentin nervor rus “Novichok” më 4 mars.

Më herët, Boris Johnson e kishte përshkruar këtë veprim si një “sinjal” nga presidenti Putin se “askush nuk mund t’i shpëtojë për shumë kohë hakmarrjes ruse”.

“Sulmi ishte një sinjal që presidenti Putin ose shteti rus dëshironin t’i jepnin dezertorëve të mundshëm të agjencive të tyre sekrete. ‘Kjo është ajo që do të ndodhë me ju, nëse vendosni të mbështesni një vend tjetër, me vlera të ndryshme nga tonat. Do të vriteni pa hezitim’”, deklaroi Johnson.

Hitleri u bë udhëheqës i gjermanëve në vitin 1933 dhe shfrytëzoi organizimin nga Berlini të Lojërave Verore të vitit 1936 si pjesë e propagandës për regjimin e tij nazist. Ai vendosi disa ligje në vend për t’u siguruar se të gjitha organizatat e atletikës do të përmbushnin politikën e “racës ariane”, gjë që shkaktoi një përplasje me ndërkombëtarët. Por, pavarësisht thirrjeve për bojkot, lojërat u zhvilluan siç ishin parashikuar.

Top Channel