Dhuna në futboll, pezullohet lojtari i Kamzës. Dënime për sfidën e Dibrës

21/03/2018 18:40

Kaosi për pak minuta në një ndeshje të Kategorisë Superiore ishte në vëmendjen e mbledhjes së Komisionit të Disiplinës, që dha edhe sanksionet për elitën e futbollit shqiptar, por gjithashtu edhe vendime për kategoritë inferiore.

Kështu, futbollisti i Kamzës, Erlis Frashëri është pezulluar me 4 ndeshje, për shkak të fyerjeve ndaj arbitrit në sfidën me Laçin.

Për shkak të përjashtimit të tij, Kamza la përkohësisht fushën dhe në protestat e ashpra u përfshi dhe trajneri Ndreu, në përballjen ndaj kurbinasve.

Por fokusin më të madh të Disiplinës e mori përballja e Peshkopisë, mes Korabit dhe ekipit të dytë të Vllaznisë. Shkodranët denoncuan vendasit për dhunë psikologjike e fizike, si dhe kërcënime me jetë ndaj futbollistëve dhe stafit teknik.

Administratori i Korabit, Fehmi Mëziu u dënua me 4 ndeshje, ndërsa nuk i shpëtoi dënimit me 3 ndeshje edhe mesfushori i dibranëve, Ted Laço, për sjellje antisportive ndaj kundërshtarit. Në radhët e Vlaznisë B u dënuan për të njëjtën arsye, Ergi Borshi me 3 ndeshje, si dhe zyrtari Ervis Kraja.

Top Channel