VV hedh serish gaz lotsjellës, Kuvendi boshatiset për herë të dytë

21/03/2018 13:18

Kuvendi i Kosovës u rimblodh paraditen e sotme për seancën e demarkacionit, e cila nuk arriti të përfundonte një ditë më parë pavarësisht se zgjati për orë të tëra deri në mbrëmje vonë. Por ndërsa pritej që të niste votimi, deputetë të lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur gaz lotsjellës duke i detyruar deputetët e tjerë që të dalin nga salla.

Një praktikë kjo e ndjekur edhe më parë nga lëvizja Vetëvendosje, për ndërprerjen e një seance parlamentare.

Por ndërsa deputetët janë mbledhur për herë të dytë në sallën e Kuvendit, deputetë të Vetëvendosjes kanë hedhur serish gaz lotsjellës.

Pas boshatisjes për herë të dytë të sallës së Kuvendit, forcat e sigurisë kanë filluar edhe kontrollin në sediljet e sallës, nëse mund të ketë bomba të tjera me gaz lotsjellës.

Për votimin e dokumentit të kthyer në molle sherri mes faktorëve politike kosovarë nevojiten 2/3 e votave të 120 ligjvënësve të Parlamentit. Situata, ku ndryshimin e përbën edhe një votë e vetme, vazhdon të mbetet e paqartë.

Deputeti i LDK-se Ramiz Kelmendi, i cili pati deklaruar se nuk do të merrte pjesë në votim pasi i ishte kërcënuar familja në rast se do të votonte pro demarkacionit, ishte në sallë.

Grupi i deputeteve të pavarur, GDP, i shkëputur nga Lëvizja Vetëvendosje e tregoi një ditë më parë se pavarësisht largimit, ka prirjen të ndjekë të njëjtën linje me partinë e Albin Kurtit që shprehet kategorikisht kundër marrëveshjes.

Por këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, e ftoi GDP-në ta votojnë paktin duke i kujtuar se po mbeti peng e ideologjisë revolucionare, në fund, edhe nëse kthehet në parti politike, nuk do të jetë veçse një kopje e zbehtë e Vetëvendosjes. Edhe sot, ambasadoret e huaj në Kosovë kanë bërë thirrje që marrëveshja të votohet dhe t’i japin fund izolimit të kosovarëve.

Nuk dihet ende nëse koalicioni qeverisës i ka siguruar votat, pavarësisht se kryeministri Haradinaj u shpreh një ditë më parë se seanca nuk do të thirrej, po të mos ishin numrat.

Top Channel