Afganistan, dhjetëra viktima nga sulmi kamikaz ndaj shiitëve

21/03/2018 18:30

Të paktën 30 persona u vranë dhe 52 të tjerë mbetën të plagosur, si pasojë e një sulmi kamikaz në afërsi të një tempulli në kryeqytetin afgan Kabul.

Autoritetet lokale thanë se kamikazi hodhi veten në erë mes një turme prej qindra njerëzish, që ishin mbledhur për të festuar nisjen e Novruzit.

Shumë vetë në turmë i përkisnin minoritetit shiit në qytet dhe sipas autoriteve pritet që bilanci makabër të rritet.

Sulmet ndaj myslimanëve shiitë janë shtuar në Afganistan dhe këtë të fundit e mori përsipër Shteti Islamik.

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme afgane thanë se kamikazi u fut mes turmës në afërsi të tempullit “Saki” dhe hodhi veten në erë, kur u diktua nga policia. Hetuesit thanë se, nëse do të kishte hyrë brenda në tempull bashkë me besimtarët, kamikazi mund të kishte shkaktuar viktima edhe më të shumtë.

Tempulli në fjalë është sulmuar edhe më parë, herën e fundit në tetorin e vitit 2016, kur pas shpërthimit të një bombe u vranë 14 persona. Në vitin 2011, po në të njëjtin tempull, një kamikaz vrau 59 persona.

Top Channel