Disa studiues të Marsit kanë arritur në konkluzionin se oqeanet në planetin e kuq janë formuar afro 300 milionë vite më herët nga sa ishte menduar.

E sipas të njëjtit grup shkencëtarësh sistemi ujor i planetit u shfaq pas një sërë shpërthimesh vullkanike që ndryshuan përgjithmonë sipërfaqen e planetit. Formimi i oqeaneve të Marsit ishte i lidhur me rritjen e dhunshme të Tharsit, një varg vullkanesh prej 5.000 km që përbëjnë sistemin më të madh vullkanik të sistemit diellor.

Tharsis ka gjasa të ketë lëshuar gazra në atmosferë që krijuan një efekt të ngrohjes globale, apo siç njihet ndryshe efekti serë, gjë që lejoi ujin e lëngshëm të ekzistonte në planetin. Sipas hulumtuesve në Mars ka pasur dy oqeane, të quajtur Arabia dhe Deuteronilus, të cilët mbulonin afro 1/3 e sipërfaqes së planetit të kuq.

Për të eksploruar se si vija bregdetare e planetit ndryshoi me kalimin e kohës, kërkuesit në Universitetin e Kalifornisë kanë ekzaminuar imazhet e siguruara nga misione të kaluara.

Hulumtuesit më parë besonin se oqeanet e Marsit u shfaqën shumë kohë pasi Tharsis u formua, afro 3.7 miliardë vjet më parë. Por një model i ri propozon se oqeanet janë formuar në të njëjtën kohë ose madje qindra miliona vite para se sistemi vullkanik vinte në jetë.

“Duke u bazuar tek ndryshimet e sotme të gjurmëve bregdetare, mendohet se Deuteronilus është formuar gjatë fazës së vonë të shpërthimeve të Tharsis, ndërsa bregu i Arabias është formuar gjatë një faze më të hershme”, thotë Michael Manga, drejtuesi i studimit.

FOTO GALERI
1/4
Oqeani Arabia (majtas) dhe Deuteronilus (djathtas) Mbulonin afro 1/3 e siperfaqes së Marsit

Top Channel