Peter Lumaj

Kandidati republikan për postin e guvernatorit të Connecticutit, Peter Lumaj, i larguar 30 vite më parë nga Shqipëria asokohe komuniste, ka refuzuar sipas disa raporteve në shtypin e huaj ofertën për t’u rikthyer këtë herë si ambasador, në vendin nga i cili do të arratisej me dëshirën e zjarrtë për ta ngritur jetën nga e para në Amerikë.

“M’u ofrua një punë si ambasadori i ardhshëm në Shqipëri për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara, – citohet të ketë thënë Lumaj përpara Komitetit republikan. – Por unë e refuzova, sepse mendoj që mund t’i shërbej shtetit më mirë këtu, sesa jashtë kufijve”.

Lumaj nuk e sqaroi se kur është kontaktuar nga administrata e Trumpit, e cila është treguar disi e avashtë në mbushjen e posteve të ndryshme diplomatike. Lumaj nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme të reporterëve mbi ofertën, me arsyetimin se duhet të largohej për një takim fushate.

Ai është shfaqur me kohë si mbështetës i presidentit amerikan. Avokati i emigracionit, që e ushtron profesionin në Nju Jork, u lind e u rrit në regjimin komunist, ashpërsia e të cilit, e mbi të gjitha mungesa e lirisë dhe mundësive e shtyu të largohej së bashku me 3 vëllezërit e të vendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë pas prindërit e disa të afërm të tjerë, të cilët vuajtën për një periudhë të gjatë persekutimin komunist.

Arsyet e atij largimi i pati pohuar dhe vet 4 vite më parë.

“Momenti kur unë dhe vëllezërit e mi u larguam nga Shqipëria, agjentët komunistë shkuan e morën prindërit e mi, vëllezërit e motrat dhe nipërit e mbesat. I çuan në internim. Babai im vdiq atje. Besoj me forcë se ai pranoi ta sakrifikonte jetën e tij, që bijtë e tij të mund të jetonin të lirë”, thoshte Peter Lumaj në vitin 2014.

Në Amerikë, Peter mësoi anglishten dhe u regjistrua në Universitetin e Nju Jorkut. Gjatë asaj kohe punoi si kamarier dhe roje për të mbështetur familjet e për të paguar studimet. Lumaj do të diplomohej “Cum Laude” në Shkencat Politike për t’u regjistruar më vonë në shkollën e Drejtësisë “Benjamin N. Cardozo”, duke u angazhuar njëkohësisht edhe si hetues i të ashtuquajturave “krime të bardha” në administratën “Giuliani”.

Aktualisht ai punon si jurist dhe ka një zyrë ligjore në emrin e tij. Në vitin 2014, Peter u zgjodh kandidat republikan për vendin e Sekretarit shtetëror të Connecticutit, ku bëri njërën prej garave më të forta në historinë moderne të këtij shteti, ndërsa në fundin e vitit 2017 iu rikthye përpjekjeve, këtë herë edhe më ambicioze për post drejtues, duke synuar atë të guvernatorit.

Top Channel