Përmbytjet në Shkodër, Basha: Të shpallet emergjenca! Rrezikohen jetë njerëzish

20/03/2018 19:57

Lulzim Basha thotë se gjendja në Shkodër për shkak të përmbytjeve sa vjen e përkeqësohet.

“Qindra familje janë të izoluara nga uji. Dhjetëra prej tyre janë evakuuar vetëm orët e fundit. Shkarkimet e ujit nga KESH vazhdojnë në nivele të larta. Sipërfaqja e përmbytur është dyfishuar brenda dy ditësh”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Kryetari i PD thotë se injorimi i kërkesës për të shpallur gjendjen e emergjencës nuk është thjeshtë papërgjegjshmëri.

“Deri tani kryeministri dhe vartësit e tij kanë injoruar kërkesën e përsëritur të kryetares së Bashkisë, këshillit bashkiak, kryetares së Qarkut dhe deputetëve demokratë, për të shpallur emergjencën. Në këto kushte kjo nuk është vetëm e papërgjegjshme, por kriminale!”, vijon në reagimin e tij kreu i PD-së.

Basha kërkon nga shtabi i emergjencës që t’i kërkojë zyrtarisht qeverisë shpalljen e gjendjes së emergjencës.

“Çdo orë e humbur rrezikon jetë njerëzish dhe mund të sjellë pasoja të pariparueshme. Paralajmëroj çdo zyrtar që refuzon të marrë përgjegjësitë, se do të përballet me pasojat më të forta ligjore dhe penale”, mbyll reagimin e tij Lulzim Basha.

Top Channel