Aleanca për Teatrin. Artistët kërkojnë skenë të re pa prishur të vjetrën

20/03/2018 22:12

Sindikata e pavarur e artistëve të Teatrit Kombëtar për çdo javë do të mblidhet për të patur diskutime të hapura me vijueshmërinë e godinës.

Në këto diskutime, përveç aktorëve të fushës, ata duan të përfshijnë edhe qytetarët, sepse, sipas tyre, kjo godinë u përket të gjithëve. Ata kanë krijuar alencën për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, duke përfshirë edhe Forumin e Trashëgimisë Kulturore apo shoqërinë civile.

Aktori Alert Çeloaliaj thotë: “Ka një vlerë të veçantë. Sot e kësaj dite, bota mburret me teatro 100, 200-vjeçare, ne e kemi 75-vjeçare e duam ta prishim, ta fillojmë historinë nga e para”.

Ndërsa Gjergj Bojaxhi, i Forumit të Trashëgimisë Kulturore, shprehet: “Çfarë ndodhi nga viti 2000, që objekti i Teatrit Kombëtar e kishte një rëndësi për të qenë pjesë e trashëgimisë së Tiranës, e që sot nuk e paska. Çdo objekt që kalon me kohë, rikonstruktohet, riparohet, por nuk prishet dhe nuk shkatërrohet”.

Në takimin e së hënës, artistët edhe një herë theksuan se janë kundër partneritetit publik-privat. Ata mendojnë se skenat e teatrit për një metropol në rritje nuk janë kurrë mjaftueshëm.

“Nëqoftëse shteti, qeveria, do të japë një vend tjetër për sallë për teatër, do të jetë shumë mirë, por pa prishur këtë”, thekson Çeloaliaj.

“Besoj që Tirana ka shumë hapësira për të ndërtuar gjëra të reja, gjithashtu ka edhe shumë vend dhe kapacitet që ne të ruajmë disa nga objektet që kanë një historik për qytetin”, nënvizon Bojaxhi.

Projekti i arkitektit Bjarke Ingels, përfshin pas godinës së teatrit edhe ndërtimin e shtatë kullave.

“Teatri është fasada e bërjes së kullave dhe nuk po bëhen kullat se na duhet teatri”, tha Gjergj Bojaxhi.

Top Channel