Nga “Sex and the City”, në qeverisjen e Nju Jorkut. Protagonistja e serialit të famshëm, Cynthia Nixon ka njoftuar se do të kandidojë për postin e guvernatorit të këtij shteti.

Nixon planifikon të sfidojë guvernatorin aktual, Andrew Cuomo, për nominimin e Partisë Demokratike.

Aktorja dhe aktivistja 51-vjeçare, e cila përflitej prej kohësh si kandidate e mundshme, i njoftoi planet përmes një postimi në “Twitter” të hënën.

“E dua Nju Jorkun dhe nuk kam dashur kurrë të jetoj diku tjetër. Por, diçka duhet të ndryshojë”, thotë Nixon në videon e fushatës, ku listoi disa prej prioriteteve, të tilla si shëndetësia, lufta ndaj burgosjeve masive, etj..

Në serialin e suksesshëm të viteve ’90 dhe në dy përshtatjet kinematografike, Nixon ishte në rolin e një avokateje në karrierë. Ajo është vlerësuar me një çmim “Emmy” për performancën e saj.

Në atë kohë, çmimin ia dorëzoi manjati i pasurive të patundshme, Donald Trump, gjithashtu personazh i njohur i ekranit. Homoseksuale e deklaruar, Nixon u martua me bashkëshorten e saj, Christine Marinoni, në vitin 2012.

Marinoni, aktiviste e LGBT-së, ka punuar për kryebashkiakun demokrat të Nju Jorkut, Bill De Blasio, deri muajin e kaluar, kur dha dorëheqjen. Çifti kontribuoi financiarisht në garën e De Blasios për kryebashkiak.

Top Channel