Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi priti në një takim në zyrën e tij kryeministrin Ramush Haradinaj, që në orët e para të mëngjesit.

Temë e bisedës, sipas mediave vendase, ka qenë marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila do të votohet të martën në Kuvendin e Kosovës.

Disa deputetë të koalicionit qeverisës pretendojnë se i kanë votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes kyçe për liberalizimin e vizave në Kosovë.

E megjithatë mësohet se qeverisë i mungon edhe një votë, ajo e 80-ta. Edhe pse shprehen optimistë se do të arrijnë ta sigurojnë atë deri të martën, përfaqësuesit e koalicionit kanë lënë të hapur mundësinë që seanca të mos përfundojë të martën, për shkak të debatit të gjatë që pritet të zhvillohet.

Ndërsa përfaqësuesit e LDK-së kanë thënë se do ta mbështesin marrëveshjen, ata të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë kërkuar që ajo të tërhiqet përfundimisht.

Analistet politike vlerësojnë se as në seancën e së martës çështja e demarkacionit nuk do të ketë një epilog.

Top Channel