“Bir i babit, që të rrëzohesh në këtë profesion nuk është dobësi, por është shtytje që të ngrihesh edhe më i fortë”.

Me këtë këshillë nga i ati i tij, legjenda e portës kuqezi Foto Strakosha, dhënë për të birin që aktivizohet në radhët e ekipit bardhekaltër të Lacios, nis edhe një video speciale kushtuar portierit 23-vjeçarit Thomas Strakosha, e gjitha në shqip dhe e titruar italisht.

“Që kur isha i vogël kisha vetëm një ëndërr, të bëhem portieri më i fortë në botë! Prandaj jetoj vetëm për futbollin. Stërvitesha tri herë në ditë për të bërë ëndrrën time realitet”, nis rrëfimin talenti i kuadratit të përfaqësueses shqiptare. “Jam lindur e kam jetuar duke admiruar vetëm një njeri në jetën time. Ai është babai im, idhulli im, Fotaq Strakosha”.

Historia vetëm sa ka filluar…

Thomas Strakosha Story

Cadere non è una debolezza ma una spinta a rialzarsi ?

Posted by S.S. Lazio on Monday, March 19, 2018

“Më quajnë Thomas Strakosha dhe kjo është historia ime. Kuptova që në fillim se ishte e vështirë të largohesha nga shtëpia për të jetuar vetëm. Por këtë po e bëja për ëndrrën time, ndaj nuk e kisha problem. Sigurisht që kur të tjerët nuk kishin ende besim tek unë, më ngrohte vetëm besimi i familjes sime e më tej besimi që pati tek unë trajneri im (Simone) Inzaghi dhe drejtori sportiv Igli Tare”, rrëfen portieri kuqezi.

Në fund flet edhe mbi numrin 1, atë që mban mbi shpinë, e për rolin që mbulon, të cilin shumë mund edhe ta konsiderojnë si pozicioni më i keq në fushë.

“Numri 1 është diçka më shumë sesa një numër tjetër. Kjo, sepse gjithmonë është portieri ai që paguan i pari për gabimet, por edhe i fundit që përgëzohet nga një ndeshje e mirë. Portieri ka gjithmonë një detyrim: të ndërhyjë ose jo, por duke e bërë këtë shumë shpejt. A është një pozicion i keq portieri? Ndoshta, por a e keni provuar ndonjëherë?”, shprehet Thomas Strakosha.

Videoklipi prezantohet nga kanali zyrtar i Lacios në rrjetin social Facebook, pikërisht në ditën kur Strakosha mbushi 23 vjeç.

Top Channel