Republikanët paralajmërojnë Trumpin: Të mos ndërhyjë në hetimet për Rusinë

19/03/2018 08:41

Republikanët paralajmërojnë Donald Trumpin të mos ndërhyjë në hetimin e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, të cilin shefi i Shtëpisë së Bardhë e sulmoi ashpër këtë fundjavë, duke e akuzuar për njëanshmëri politike.

Në mesazhin e tij në “Twitter”, presidenti i mëshonte idesë se nuk ka pasur bashkëpunim të ekipit të tij me Rusinë, ndërsa hetimin e etiketonte edhe njëherë si “gjueti shtrigash”, të dominuar nga demokratët.

Vet Mueller, një ish-kryetar mjaft i respektuar i FBI-së është republikan.

“Prokurori i posaçëm i ka shërbyer vendit tonë me ndershmëri dhe integritet. Është e një rëndësie kyçe, që ai të lejohet ta reliazojë të plotë hetimin e tij mbi ndërhyrjet në Presidencialet e 2016-s”, deklaroi John McCain.

Senatori republikan Lindsey Graham këmbëngul gjithashtu që Mueller të lejohet të procedojë pa pengesa dhe shumë republikanë të tjerë ndanë të njëjtin mendim me të, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Nëse Trump përpiqet ta largojë, kjo ka për të shënuar fillimin e fundit të Presidencës së tij, sepse ne jemi një komb ku sundon ligji”, deklaroi Graham.

“Nuk e di se çfare po sajon Trumpi për Muellerin, – u shpreh senatori Jeff Flake. – Por, duket se po e çon situatën në një drejtim kritik dhe ne në Kongres nuk kemi për ta pranuar një gjë të tillë”.

“Pse ekipi i prokurorit Mueller ka 13 demokratë të betuar, disa përkrahës të Hillary Clintonit mashtruese dhe asnjë republikan? Së fundmi u shtua edhe një demokrat tjetër… A mendon njeri se kjo është e drejtë?”, shkruante Trump në “Twitter”.

Një mesazh që u pa si preludi i një përpjekjeje për t’i hapur ndoshta rrugën shkarkimit të Robert Muellerit, ashtu siç bëri edhe me dy persona të tjerë, të cilët i hynë një hetimi të ngjashëm, ish-shefin e FBI-së James Comey dhe ish-nëndrejtorin Andreë McCabe, që u pushua nga puna të premten.

Top Channel