Grabitja e tokave në bregdet; “Arrest shtëpie” për kryebashkiakun e Lezhës

19/03/2018 12:45

Zyrtaret e Bashkisë së Lezhës kanë dalë sot para Gjykatës ku u është caktuar masa e sigurisë. Mes tyre është dhe kryetari i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, i cili është nën akuzë bashkë me 22 të tjerë si i dyshuar në aferën e tjetërsimit të tokave në bregdet.

Mbështetësit e kryetarit të bashkisë së Lezhës rrethuan mëngjesin e kësaj të hëne gjykatën, ku të gjithë të arrestuarit për dosjen e tokave te Rana e Hedhun, dolën para gjyqtarëve për masën e arrestit.

Të arrestuarit janë dërguar në Gjykatë nën masa të shtuara sigurie.

Ndërsa jashtë vijonte protesta e nisur prej disa ditësh, në sallën e gjyqit, të ndaluarve iu lexua nga prokurorët akuza. Edhe brenda sallës se gjykatës seanca është zhvilluar me ndihmën e shumë policëve që ishin thirrur për të mbajtur nën kontroll njerëzit. Një pjesë e protestuesve ishin në sallë duke ndjekur seancën.

Seanca për kryetarin e Këshillit të Qarkut është zhvilluar ndërsa i arrestuari Gjok Ndoka ndodhej në spital. Gjykata në fund pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë, por la në arrest shtëpie 7 zyrtarë të bashkisë Lezhë përfshi edhe kryebashkiakun Fran Frrokaj dhe dy të tjerë janë lënë në arrest me burg.

Gjykata ka urdhëruar kryebashkiakun e Lezhës dhe të tjerët që akuzohen për abuzime, që të mos largohen nga banesa dhe mos komunikojmë me askënd përveç atyre që bashkëjetojnë. Policia është urdhëruar që të mbikëqyrë banesat e tyre. Arrestimi i zyrtareve lokale në Lezhë është bërë pasi Prokuroria zbuloi se në bashkëpunim ishin falsifikuar dokumentet dhe ishte shpërdoruar detyra për të tjetërsuar një sipërfaqe të madhe toke në plazhin e Ranës së Hedhun, në malin e Shëngjinit dhe malin e Rencit.

Toka ishte kthyer si arrë dhe pemëtari në një kohe kur atje ka vetëm shkurre dhe rërë. Por kjo tokë ka vlerë të madhe në treg për shkak të potencialeve për turizëm. E gjithë zona është ndarë me gardhe dhe parcela nga përfituesit e paligjshëm, një pjesë e të cilëve janë në kërkim. Grabitja e tokës është kryer nga ky grup, brenda të cilit ka edhe përfaqësues politik të ngjyrave të ndryshme.

Top Channel