Bisedimet e Brukselit, Kuvendi i Kosovës është lënë “jashtë loje”

19/03/2018 17:46

Kuvendi i Kosovës duhet të ketë rol kyç në bisedimet me Serbinë, në mënyrë që arritja e marrëveshjeve në Bruksel të mos e gjejë vendin para ndonjë fakti të kryer.

Ky ishte vlerësimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët u takuan me kryetarë të komisioneve parlamentare për të diskutuar mbikëqyrjen që këto komisione i bëjnë dialogut, mbikëqyrje që duket të kenë mjaft mangësi.

“Asnjë nga ne nuk di gjë për darka sekrete, për takime të tjera në suazat e organizmave të tjerë. Uroj shumë që të mos kenë ndodhur ato. Mirëpo normalisht, kur qytetarët dhe Kuvendi mbesin në terr informativ, aty mbesin shumë hapësira për spekulime. Ne kemi dy rezoluta që janë në fuqi, që e autorizojnë qeverinë të udhëheqë dialogun, e jo presidenti”, tha Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme.

“Me qeverinë e re dhe me legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar e njëjta histori sikurse më herët. Kuvendi i Kosovës nuk është konsultuar, nuk është përfshirë në këtë proces. Mbeten shumë pak informacione, ose fare, që ndahen me deputetët e Kosovës apo qytetarët”, tha Jeta Krasniqi, nga KDI.

Nuk mungoi as drejtimi i gishtit nga presidenti Hashim Thaçi për “perden” që ka mbuluar negociatat.

“Është komplet e papranueshme që Thaçi ka marrë në mënyrë autoritare udhëheqjen e këtij procesi, tashmë që është president. Ne e dimë se përgjegjësit më të mëdhenj të Zajednicës dhe procesit të dialogut janë pak, përgjegjës kryesor është Hashim Thaçi. Në vazhdimësi ai ka neglizhuar dhe ka shkelur Kuvendin dhe Republikën e Kosovës, siç po bën edhe tani”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Komisioni për Legjislacionin.

“Ekipi që po vazhdon të shkojë atje për të përfaqësuar Kosovën është joserioz. Unë mendoj se më tepër po i ngjan një ekspedite turistësh, sesa përfaqësuesve seriozë shtetërorë. Çështja e dytë është se kush i dha leje presidentit që të integrohet në këtë proces?”, tha Driton Selamanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Pjesëmarrësit në takim thanë se duhet krijuar një komision që të vlerësojë çdo marrëveshje të arritur në Bruksel, në mënyrë që të shmangen problemet.

Top Channel