2018-ta/Eksportet u rritën, importet janë dy herë më të larta

19/03/2018 15:19

Në dy muajt e parë të vitit eksportet u rritën me 21,5 %, sipas institutit të Statistikave. Por nga ana tjetër edhe importet u rritën si dymujor me 14,5%.

Deficiti tregtar për shkurtin është minus 22 miliardë lekë, dhe eksportet arrijnë të mbulojnë vetëm 52 përqind të importeve.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga grupi i materialeve të ndërtimit, dhe ai i industrisë së fasonit. Por edhe rinisja e eksporteve të energjisë nga KESH, si pasojë e situatës së përmirësuar hidrike ka dhënë një ndikim jo të vogël.

Eksportet shqiptare shënuan rënie gjatë dy viteve të shkuara si pasojë e uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve. Ndonëse situatat është përmirësuar, Shqipëria mbetet sërish vendi që eksporton më pak në rajon, një tregues që dëshmon konkurrueshmërinë e ulët të ekonomisë.
Në një raport të publikuar në fund të 2017, FMN vëren se arsyet pse Shqipëria ka eksportet më të ulëta në rajon, janë korrupsioni i lartë, institucionet dhe infrastruktura e dobët, kompleksiteti i sistemit tatimor si dhe vështirësitë e kompanive për të patur akses në financim.

Sipas FMN këta faktorë pengojnë ekonominë që të bëhet më konkurruese duke frenuar eksportet dhe rritjen e kompanive.

Top Channel