Kundërakuza ruse: “Novichok” ka dalë nga laboratori britanik

18/03/2018 13:40
Ambasadori rus në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov

Agjenti kimik i përdorur për helmimin e ish-spiunit rus në Angli ka dalë nga një laborator britanik.

Kështu pretendon Rusia, e cila përmes ambasadorit të saj në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov, përsëriti edhe njëherë se nuk asnjë lidhje me sulmin ndaj Sergei Skripalit dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury.

Në një intervistë për britaniken BBC, ambasadori sugjeroi se agjenti nervor, që sipas britanikëve i përket grupit “Novichok” të prodhuar në Rusi, mund të ketë dalë nga laboratori “Porton Down”, 12 km larg qytetit.

“Porton Down është kompleksi ushtarak më i madh në Mbretërinë e Bashkuar që merret me kërkimet mbi armët kimike”, ishin fjalët e Chizhovit. Sipas tij, Rusia nuk ka rezerva të agjentit kimik të pretenduar.

Sekretari i Jashtëm në Britaninë e Madhe, Boris Johnson i cilësoi si qesharake pretendimet. Kjo, sipas tij është një tjetër përpjekje e shtetit rus për të devijuar ngjarjen nga faktet, se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante detyrimet e saj ndërkombëtare.

Johnson shtoi se Britania e Madhe ka prova se Rusia ka prodhuar dhe depozituar “Novichok” brenda 10 viteve të fundit. Sekretari për Punët e Jashtme bëri gjithashtu të ditur se përfaqësues të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) mund të mbërrinin në Britani të hënën, për të testuar kampionë të agjentit nervor.

Ish-agjenti i shërbimeve sekrete Skripal dhe vajza e tij 33-vjeçare mbeten në gjendje kritike për jetën, në spital.

Top Channel