Ish-zv.drejtori i FBI-së, të dhëna kompromentuese për Trumpin

18/03/2018 08:44

Ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, Andrew McCabe, i shkarkuar të premten për “shkelje në detyrë”, i ka dorëzuar ekipit që po heton ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, shënimet e mbajtura gjatë bisedave me presidentitn Donald Trump.

Sipas medieve amerikane, shënimet mund të mbështesin pretendimet se kreu i Shtëpisë së Bardhë u përpoq të pengonte drejtësinë. McCabe u shkarkua të premten pas një hetimi të brendshëm.

Ish-zyrtari i dytë më i lartë i agjencisë pati paraqitur dorëheqjen në datën 30 janar, në pritje të përfundimit të hetimeve, pasi ishte kritikuar publikisht nga presidenti Donald Trump për njëanshmëri politike.

Ai kishte planifikuar të dilte në pension këtë të dielë, në datëlindjen e tij, duke përfituar kështu edhe pension të plotë. Por, pas shkarkimit mund t’i rrezikohet pjesërisht apo plotësisht marrja e pensionit.

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions tha se McCabe kishte zbuluar informacione të paautorizuara medieve dhe se nuk ishte i treguar i sinqertë në raste të ndryshme, edhe pse nën betim.

Lajmet se ish-zv.drejtori kishte mbajtur shënime të bisedave mes Trumpit dhe ish-drejtorit të FBI-së në atë kohë, James Comey, dolën të shtunën.

Mediet amerikane thonë se memot do të mbështesin versionin e Comeyt për rrethanat e shkarkimit të tij në muajin maj. Ish-drejtori i FBI-së ka dëshmuar se presidenti i kishte kërkuar besnikëri dhe gjithashtu të hiqte dorë nga hetimet për ish-këshilltarin e Sigurisë, Michael Flynn.

Top Channel