Xhelozia mes të moshuarve, konflikti zgjidhet në “Dua të të bëj të lumtur”

17/03/2018 22:44

Pjesë e programit “Dua të të bëj të lumtur” këtë të shtunë, ishte edhe historia e Nikollës dhe Vjollcës, dy miqve që prej disa kohësh nuk flisnin më me njëri-tjetrin.

Miqësia kish nisur në shtëpinë e të moshuarve në Fier ku rastësisht Nikolla ishte njohur me Vjollcën, zonjën nga Tirana. Nikolla kishte kaluar shumë vështirësi në jetë, por edhe Vjollca nuk e kishte pasur më të lehtë. Ndoshta dhimbja dhe vështirësitë e kaluara i kishin afruar me njëri-tjetrin duke u bërë miq shumë të mirë.

Por, prej disa kohësh ata nuk flisnin më. Kishte qenë Vjollca ajo që kishte vendosur të mos i fliste më Nikollës.

Për këtë arsye Nikolla kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” që t’i kërkonte asaj një mundësi për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe për të vazhduar miqësinë e tyre.

Viollca e kishte pranuar ftesën për të ardhur në program, por ajo nuk e dinte se kush e kishte ftuar. Kur Arbana kërkoi që të hapej zarfi, Vjollca mbeti e shtangur kur pa se në anën tjetër ndodhej Nikolla.

Arbana e pyeti Vjollcën se përse nuk i fliste më Nikollës dhe ajo u përgjigj që ai shpenzonte shumë kohë dhe para duke folur me miqtë. Madje Vjollca dyshonte që Nikolla shoqërohej edhe me zonja të tjera.

Pas ndërhyrjes së Arbanës dhe të publikut Vjollca pranoi që t’i fliste përsëri Nikollës, por ajo këmbëngulte që ata do të ishin vetëm miq.

Arbana kishte rezervuar një surprizë për Vjollcën duke i dhënë asaj mundësinë që të rifitonte buzëqeshjen tek klinika dentare “Dental Lux”.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel