Shtohen tensionet, Rusia dëbon 23 diplomatë britanikë nga Moska

17/03/2018 09:45

Moska i përgjigjet dhëmb për dhemb vendimit të Londrës për dëbimin e 23 diplomatëve rusë, duke larguar po kaq diplomatë britanikë.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se stafi nga ambasada e Britanisë së Madhe në kryeqytetin rus do të dëbohet brenda një jave, e po kështu do të mbyllet “British Council” në Rusi, promovuesi i marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve si dhe konsullata britanike në Shën Petersburg.

Qeveria britanike e mori pak ditë më parë vendimin që diplomatët rusë të lënë vendin. Shkak i lëvizjes së saj u bë helmimi me gaz nervor i ish-agjentit rus Sergej Skripal dhe vajzës së tij.

Substanca e rrezikshme, sipas disa raporteve në mediat britanike, ishte vendosur në çantën e 33-vjeçares përpara largimit nga Moska. Rusia e injoroi ultimatumin e britanikëve për zbardhjen e atentatit. Në një deklaratë të përbashkët, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe SHBA kanë bërë përgjegjëse Rusinë për këtë akt, por Moska i hodhi poshtë akuzat e pikërisht aty, Londra vendosi si kundëreagim të marrë masa ndaj saj.

Një ditë më parë, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson deklaroi se me shumë gjasë, porosia për atentatin ka ardhur drejtpërdrejt nga Kremlini. Ish-agjenti Sergei Skripal dhe e bija, Yulia, u gjenden pa ndjenja në një stol në një park në qytetin Salisbury dhe u dërguan urgjentisht në spital, ku vazhdojnë të mbetën në gjendje të rëndë, ndërsa disa persona të tjerë, përfshirë një oficer policie, u sëmurën.

Top Channel